Monday, January 14, 2013

Lediana Pajo - Lotet e Nimfes



LINDJA E NIMFËS


1- Misteri i Adamit

-Adam, shtrihu në hije!
Adami shtrihet..
Ai projekton..
ngul daltat e tij imagjinarë mbi të..
Ai krijon..
Adami s'ndien..
Adami vështron..
Adami, i habitur, pyet..
-C'po bëni kështu?
-Është surprizë për ty, Adam, mos u shqetëso!

Adami qesh..
Adami vështron..
Adami merr në krahë surprizën..

Adami dhe sot vazhdon t'a kundrojë,
po aq këndshëm, sa dhe herën e parë..
me shpresën se së shpejti
do t'i vijë dita,
që ai të fillojë,
ta kuptojë...
misterin, që nga trupi i tij
gdhendën..



2- Dikur

Një copëz diell gjete dikur,
harruar në kaltërsinë qiellore;
i paqenë, deri në atë çast,
kur ti, frymëmarrjen ia ndjeve,
dritën ia ledhatove,
me rrezen e tij u ngrohe...

Një copëz hëne gjete dikur,
fshehur në kobin e natës
e zhytyr mes reve shpirt po jepte,
dhe ti, diellin kërkove,
rënkove përvajshëm ,
me nje qiri ne dorë, u kryqëzove...


3-Mos e kurdisni orën, Zotërinj!

Ç'vlerë ka kurdisja e orës?
Ajo të njëjtën gjë tregon!
Rrahje, rrahje pa mbarim...
Rrahje, rrahje pa destinacion...
dhe do të klithë,
dhe do të lodhet,
dhe do të pushoj,
lëreni!...

Mos e kurdisni më orën, zotërinj!
Ajo, nuk ka tjetër funksion,
veçse të zhbëj kohën,
sikur rrahjet e zemrës,
që për inercin, një ditë, do t'i ndalë...


4- Kryqëzime rrugësh

Sa çuditshëm priten rrugët e jetës,
pafajësisht, njerëzit verbohen..

Sa vrasje,
vrasje shpirtrash.
Sa intriga,
pjellë djallzore,
që nën hipokrizi, pandorizohen!..

Sa çuditshëm priten rrugët e jetës,
Pafajësisht, shpirtrat dashurohen..

Sa ëndrra,
ëndrra boshe.
Sa mëkate,
pjellë pasionesh,
që nën hënën e plotë, transformohen!..


Sa çuditshëm priten rrugët e jetës,
pafajësisht, lutjet drejtohen..

Sa kob,
kob i frikshëm.
Sa vrer,
pjellë zhgënjimesh,
që me dashuri, blatohen!..


5- Në ecje

Ecë.. ecë.. ecë..
bluaji shpirtrat
thyeji kafkat
thithe gjakun..

Ecë.. ecë.. ecë.
rrëmbe hijet,
fshihe natën,
gëlltit yjet..

Ecë ecë ecë..
kurvëro,
mashtro,
vidh,
vrit,
hesht për drejtësi,
mbaj ndonjë fjalim zyrtar,
ndërsa shaminë e diplomacisë,
varja kohës në busullën e saj!..

E nëse s'mundesh këto t'i bësh...
Nderja diellit mëndjemadh,
një copëz të vogël, kartoni...


6- Dekompozim

Sa njerëz heshtin dhe kur s'duhet,
të tjerë që flasin pa mbarim;
në universin e fjalëve
ata, predikojnë lutjet,
zhgënjimet,
ëndrrat,
mashtrimet…

Dhe flasin,
dhe era fjalët fryn,
ato kudo i shpërndan,
ashtu siç bën dhe me gjethet e vjeshtës,
që këmbët i shkelin,

i përbaltin këmbët,
i prishin,
i deformojnë,
i shkatërrojnë,
e ato dekompozohen
prishen,
vyshken ,
dhe dimrin e acartë,
lajmërojnë!...


7- Shebeku

Si shebek endesh rrugëve të natës
për të ndjekur orgjinë e saj.
Në thesin e mëkateve,
ofshamat e lodhura hedh.

Në mëngjes,
vegjet nis të rrahësh,
duke lidhur fatin në spangot e saj.

Mëkatet i kalon ndër fije  një nga një..
Sa i bukur ky qilim ! – I përshpërit vetes,
dhe tokës si mbulojë ia shtron
Tashmë, ajo do të ndihet ngrohtë!

Në mbrëmje vazhdon të endesh si shebek…
Të nesërmen, sërisht, cohën e tokës do punosh ..

Shebeku* (endacak i varfër)

8-  Trishtim..

Brishtësinë nga zhgënjimi i rradhës,
tretur në horizontin jetë,
kristalizuar në akujt e trishtimit,
përpiqesh të fshehësh diku.

Shpirtin tënd kërkon të ç'gozhdosh,
fatin e njerëzve të ndryshosh
mendimet e tyre të përtëritësh
mediokritetin kërkon të shndërrosh..

I pamundur të ndryshosh këtë fatalitet njerëzor
me thonj skalit zemrën tënde.
E çjerresh fort dhe gjakun në tokë lëshon,
e vampirët, qenie njerëzore, me gjakun tënd kungon...

9-  Përse?

E ngjyeve penën ne katranin e zi të natës,
që eshklat e inatit e kishin flakëruar gjatë mbrëmjes;
dhe në mëngjes, hirin e tyre mblodhe vaditur me lot trishtimi
e në mbrëmje torturoje veten me të njejtën pyetje...
ku dhe oratori mbeti si kuak,
E pergjigjen kurrë nuk ta dha..
PËRSE?
VALLE?
PËRSE?

10- Kukullat moderne!

Dikur,
me kukulla nëpër duar,
luanit...

I përkëdhelnit,
ledhatonit,
krihnit,
ushqenit,
puthnit,
shuknit fort tokë
kur kënaqësi, s'ju jepnin..

Sot,
si kukulla nëpër duar,
luajnë..

U përkeldhelin,
ledhatojnë,
puthin,
shtrëngojnë fort,
shukin, ashtu, si kukulla në tokë..
kur kënaqësinë s'ua falni..

*shuk=perplas, bere kruspull, germuq.

11-  Fuga

Në krahët e një uragani
për një çast, u gjenda..
e drithëruar..
se fuqia e tij,
frymëmarrjen time,
në vorbullën e vet do shkrinte...
Rrëmbimthi ..
do më rrotullonte,
si tek ajo loja e fëmijërisë,
ku spangoja, fugën bën të levizë...

Ekzaktësisht,
ashtu unë ndihesha
fugë lëvizëse e litarit uraganor,
fugë, që lëviz instiktivisht,
duke vënë në punë
të gjitha energjitë e mundshme...
për të kryer rrotullime pa fund,
duke kënaqur epshin e tij të egër
ashtu si e shfaqte..
nën frymëfishkëllimën e vet...



12- Xixëllonja

Ajo ishte një xixëllonjë,
E ëmbël,
dritë vezulluese,
dalë nga fundbarku i saj
që terrin përreth, ta shponte...

Ishte lozonjare,
e ëmbla xixëllonjë..

Me flatrat e vogla,
ajrin pas vehtes e hidhte
kënaqësisht,..

Nga lart
njerëzit shihte,
herë me frikë,
e herë me krekosje,
kur ata mrekulloheshin
nga drita që lëshonte...

Ai e kapi atë një natë,
teksa ajo, fluturimthi.
para tij,
habituar,
kishte ndaluar...

I mrekulluar
lozi me të,
nën dehjen
e lëvizjeve te saj
drithëruese...

Por, nuk kaloi shumë kohë
kur ai,
lodhur
nga loja e saj
në ajër, dritëshuar, e flaku...

E trishta xixëllonjë,
territ, e frikur,
ligështisht
trupin, ia fali...



....................................................................................
....................................................................................







PELLGU I LOTËVE TË NIMFËS


1- Heshtje!

Fjala ngel në buzët e thara
pa dashur të kapërcej atë hendek,
në buzët e çara që dridhen
dhe shkunden si gjethet nën degë.

Fjala ngel, por heshtja ime flet
në këtë errësirë pa fund,
mesazhin memec e percjell në zemër
dhe sytë me lotë i mbush...                            

Nuk mund të them asgjë
asnjë fjalë nuk mund të nxjerr
prandaj heshtjes i hap rrugën
që zemrën, ty vetë, të ta çelë.

2-  Hijëza e dhomës sate

Shpirti im, drejt teje fluturon
Çdo mbrëmje..
Një hije në dhomën tënde,
shndërrohet...

Buzëqeshjen tënde të venitur
E sheh...
Frymëmarrjen tënde të rënduar
E ndjen..

Çdo mbrëmje,
Hijza e dhomës sate shndërrohem..
Kur loti,
Shpirtin tënd të brishtë rëndon
Me duar,
Trupin tënd qarkuar mbaj...

Me shpirt,
Miliona herë përshpëris, të dua...


3-  Spektatorë ndjenjash

Ne, spektatorët, vëzhgojmë
se si ju ndienjat, aktroni,
shpërtheni talentin
në amfiteatrin zemër,

Ne, thjesht shohim,
mërmërisim,
heshtim,
qajmë dhe qeshim
me tuajat shpërthime,
llava vullkanesh,
shkundjesh epileptike,
rrënosje vreresh,
kanosje braktisjesh,
bekime lutjesh,
dhe presim...

Presim vetëm fundin,
që të fillojmë të duartrokasim
talentin tuaj, madhështor..

4-  Nuk kam faj!

Nuk kam faj pse në këtë botë erdha,
e papërlyer isha nga mëkatet,
por, sa shkela këtë botë misteresh
përlyer më latë, më bëtë si djajtë.

Si engjëll nisa shtegtimin për këtu,
e ndoshta dhe engjëll do iki përsëri,
mëkatet ordinere që përlyen trupin tim
do i djeg njëherësh, në atë bot' smund t'rrijn.

Nuk u pata faj se me paditurinë time
juve vëmendjen heshtazi u vidhja,
të qeshurat tuaja mendjen më terhiqnin,
të bëja si ju, ashtu më mesuat!..

Nuk u pata faj kur u bëja me nerva,
as dhe kur gaboja, nuk u pata faj!
Ishte padituria ime ajo më tunduesja
apo indiferenca juaj e pafat?!


5- Njeri

I vetëm ndjehesh
Ëndërr braktisur, pa fat
Nga lotë shprese...

Honi yt i zi,
Gulçimin e shpirtit pjell,
Si një klithmë...

Në muzgun e natës,
Afshin që gjoksin të çjerr,
Falja ti mikes ...

E qiellin lut,
Që hënën mos ta largojë,
Duke e dhunuar...


6-  Trishtim i ëmbël

Shpirtin fillove të ma pikturosh një ditë,
të vrarë, pikëlluar, si film bardh e zi,
me shpresa te vdekura,
pa ëndrra, dëshira..
pa drita jete..

Penelin ngjyeve fort bojën e zezë
e skaj për skaj shpirtin tim hijëzove,
theksove limanet e tij,
errësirën egërsove
vënd për dritë, nuk le...

Si një mjeshtër pastaj firmën hodhe
vështrove shpirtin tim të brishtë
me ëmbëlsi i buzëqeshe.
Derisa të dorëzohej i tëri
duke u ngjyrosur me trishtim...

7- Qetësi nate

Qetësia e natës
me petkun e saj më vesh.
Dhe unë, Muzën e gjumit vras.

Me hapat e mi filloj të trazoj,
gjithçka në këtë qetësi.

Afrohem, e ndaloj pas trupit tënd
me duart e mia lëkurën ta përshkoj,
lehtë, qetë, ëmbël..
Mornicat vallëzojnë gjithandej,
një mori kokrrash
mbi lëkurën time bien,
dhe afshi mbi to lëshohet plot epsh.
Ti, shtrin përtokë ledhet e mia,
mbi vehten tënde më hedh
dhe zjarrin e ethshëm,
mbi buzët shkrumb, e djeg...




8- Fli i dashur!

Fli, i dashur,
në ëndrrat e tua do të jem,
me kokën mbështetur në krahëror,
ëmbëlsisht mbi ty do flej...

Fli, i dashur,
qetësinë e kësaj nate rrëmbeje,
si petk veshjeje përdore,
hedhur rreth meje e teje...

Fli, i dashur,
ëmbëlsinë e kësaj nate shijoje,
se shpirtrat tanë në errësirë ,
bashkë kërkojnë të jetojnë...


9- Nje çast

Një çast,
vetëm një çast,
kohën kërkova t'a ndalja...

Një çast,
sikur një çast,
psherëtimat të mos ekzistonin...

Një çast,
Oh, vetëm një çast
buzëqeshjet fëmijrore të shihja...

Por,
ankthi,
hijen e vet mbolli,
habisë sime i buzeqeshte,
e krah per krah me kohën,
mbi fytyrat njerëzore
tmerrin ringjallte..

Një çast,
vetëm një çast
kohën kërkova ta ndalja.

Një çast,
të vetmin çast,
ankthit, krahët t'ia prisja
e ashtu,
pa trup, sy, duar e këmbë
në hapësirë, jetim, ta lija..

Vetëm për një çast
do doja të rishihja
rikthimin e buzëqeshjes
në ato fytyra,
të çiltra...

10- Ç'është dashuria?!

Ç'është dashuria?
zemrën pyeta
Një mal me brenga?
Me ëndrra një det?
Apo qilim përdëllimesh?
Tundim, mos eshte vallë?

Sërisht e pyeta
Por zemra veç tik-taket, numëroi....
E prita, e prita përgjigjen e saj
Po zemra asnjë fjalë nuk nxori
Gufonte mes rrahjesh si e marrë
Vallë, dashuria gojën ia mori?

11- Pema e dashurisë

Oh miku im,
e mban mend pemën
nën të cilën
lutjet e dashurise sonë, përshpëritëm?

Ajo ende rritet..
njëkohësisht, me plakjen tonë,

Ndërsa lutjet,
Oh, lutjet!..

Ato pafajësisht shushurisin në çdo degë....
Dhe nëse era një ditë do t'i fryjë
Apo padashur mbi tokë do bien
me amanetin e dashurisë sonë
rrënjën e filizit të ri
do ushqejnë...


12- Duel i pambarim

Të flas në heshtje,
Me vështrimin ngulitur në sytë e tu.
Në bebëza
ta shigjetoj
shpirtin tim...
si luftëtare ,
me veshje të hekurt
para teje qëndroj.
Në të fundit dyluftim,
të ftoj...
Ti hesht..
Në gjunjë bie...
Shpirtin ,
në duart e mia beson..
Ndjesën,
nën të dridhshmet buzë,
e përshpëritë...
dhe qepallat,
rënduar të rrahin,
një puhizë përgjërimi...
Sa çudi!...
Gjithë jetën luftojmë,
E kurrsesi të vritemi!

 13- Nimfa e pellgut të lotëve

Jam nimfa e pellgut të lotëve
aty ku ti, mëkatet lan çdo mbrëmje
dhe pellgun tim, trazon
dhe pellgun tim, turbullon
dhe pret,
dhe pres,
derisa mjellmat kokën mbi sup ta varin
e qetësia e plotë të mbizotërojë.
Dhe flet
dhe flen.
Unë, Muza e gjumit tend,
me lotët e mi,
trupin tënd të lagësht,
filloj ta freskoj...

14- Nuk jam Penelopa!..

Kujtimet,
në ditar, më, nuk i mbaj..
Gjatë ditës,
në trup i mbledh
I ujis me gjak
freski u fal..

E natën...
i vargoj në gjerdan të jetës
duke i lidhur
me fije merimangash…

Mos ki frikë!..
nuk jam Penelopa,
në pritje të së papriturës...

Veç dhimbjen palos
në dollapin e vjetër
e digjem si një kartë…

Kujtimet, nuk i ruaj
Në arkën e shpirtit
Sepse, kujtimi, vetë jam!

15-  I (pa)fajshëm


Zoti, pas lutjeve të mia,
retë i shprishi një nga një
dhe i shtrydhi mbi vaskën
ku ti fshehtas, trupin tënd po laje.

E format e tua
që mbi ujë kridheshin,
ëmbelsisht,
dalëngadalë
filluan të shpëlanin
pafajësinë,
hyjnore...

 16- Si një busull

I klitha kohës
për flokësh e kapa
misteret
pelerinës së saj
doja t'ia merrja...
E ta lija
si qiellin,
pa yje.
Si detin,
pa valë.
Si erën
pa tufane,
pa ngrica
batica apo zbatica...

Mbi duar,
Veç një busull më la
ruaje kujtim, nga unë – tha.
Dhe iku,
Fluturoi
Në shtegëtimin e saj...

17- Si një lule..

Si një lule që petalet shkund nga era
në dorën tënde u gjenda...
dhe ti...
petalet e lules fryje...erëzoje lehtas
kënaqeshe me lëkundjen e tyre...

E lulja...
adhuronte lëkundjen e krahëve të saj
nën frymën tënde...

Si një lule që petalet shkund nga era
në dorën tënde u gjenda...
dhe ti...
me duart e tua si një fëmijë e preke,
petalet ia ledhatove ëmbël...

Dhe lulja..
Ndjeu prekjet e dorës tënde mbi të
e hyjnizuar, kokën mbi duart e tua vari...

Si një lule që petalet shkund nga era
në dorën tënde u gjenda...
dhe ti..
i mërzitur se lulja, mbi dorën tënde kokën vari,
petalet fillove t'ia shkulje... një nga një...


18- Çast

Mos i përgjo hapat e mia,
që heshtazi,
hijen tënde po ndjekin
për të vjedhur dhe një çast,
të vetmin çast,
imagjinar,
që kurrë nuk e jetuam...

Më lejo, vetëm një herë
kokën, mbështetazi t'a lëshoj,
sipër krahërorit tënd,
me të vetmin lot, ta njom.

E ti, zemërlotur, me buzët tua
do njomësh, të thatat buzë, të mia...

19- Lotët e një mashkulli

Në sytë e tu zhytem,
që lotë së brendshmi rrjedhin,
ujvarë e një shpelle të nëndheshme
perlë në gjeografinë e shpirtit...
Zemër plasaritur nga acarët e jetës
fytyrë eshtake, që lotet e zemrës
transformon mes heshtjes në kapilarthë shprese...

20- Nuk kam faj!

Nuk kam faj pse në këtë botë erdha
e papërlyer isha nga mëkatet
por, sa shkela këtë botë misteresh
përlyer më latë, më bëtë si djajtë.

Si engjëll nisa shtegtimin për ketu
e ndoshta dhe engjëll do iki përsëri
mëkatet ordinere që përlyen trupin tim
do i djeg njëherësh, n’atë botë smund të rrijnë.

Nuk u pata faj se me paditurinë time
juve vëmendjën heshtazi ua vidhja
të qeshurat tuaja mendjen më terhiqnit
të bëja si ju, ashtu më mësuat!

Nuk u pata faj kur u bëja me nerva
as dhe kur gaboja nuk u pata faj
ishte padituria ime ajo më tunduesja
apo indiferenca juaj e pafat?!

21- Karikatura

Zogun pushverdhë fillova ta pikturoja mbi një mur, të vjetëruar
ku ende njomnin spërkla te freskëta gjaku, aty-këtu...
në kokë një kurorë fisnike luani i vura,
ndërsa puplash, një mantel hijenash gri...
Karikaturë perfekte!

Te nesërmen, përbri murit ecnin kalimtarët
nën heshtje mërmërimash kokën mbi kujtime varnin
e sytë, vaditnin të freskëtat afreske përjetimesh
që murit, deshifrimin e tyre mbartnin..

Zogun pushverdhë, e soditnin edhe ata, të medhenjtë
që buzë-perplasjeve të tyre fjalime dështake kalonin
aty këtu, ngjyheshin me furçat e mrekullive
dhe brendësinë e një molle të kalbur pohonin...

Sperklat e gjakut mbi mur revoltoheshin,
kur këmbësh, prej një zogu eshtak shkeleshin
ndërsa ata, pështymat e tyre lëshonin 
dhe hirin e dëshmive, fshehnin.

Pas çastesh soditjeje të skenës tragjikomike
pashë zogun prej murit të fluturonte,
frikurësuar mbi kokat e Tyre ciceronte
e mantel-hijenën sysh, ua hodhi...!


22- Falsitet i trisht

Në membranën tënde ndodhem
Cipë e falsitetit njerëzor
Më mban aty,
Prangosur ..
E qesh me mua...

Qesh e shtiresh...
Pa mundur shpirtin tim ta përceptosh
Vështrimin shurdhmemec më hedhë
E buzëqeshja e shtirur daltuar në poret tua
Si një karikaturë shumëngjyreshe të shndërron...
Me thonj gërryej sipërfaqen tënde
Çdo pore që e përbën atë
E çjerr pa mëshirë,
Dhimbjet therrëse kërkoj të t'i jap
Dhimbje që ty shpejt të të çajnë...

Por ti...
Me mua qesh...
Përpjekjes sime i vë një kryq
Duke më nxjerrë të pafuqishme
Për të prishur një membranë
shekulluar në trupin tënd
e transformuar në filispanjë.

Shpërfillëse jam
ndaj shtirjes sate
me thonj gerryej thellë
çdo porë të trupit tënd
dhe ti, dhimbje ndjen
gjak falsiteti nga poret tua nxjerr
duke krijuar pikë pikë..
nje pellg te vogël
që gradualisht fillon te rritet
dhe trupin tim nis ta përlyejë
dhe trupin tim, mbi të, ta përmbytë...

 23- Ku je?

Të kërkova sot
si dje
si dhe çdo ditë më parë...

Gjurmët e tua të trishta
nuk janë më,
as mbi rërën e njomë,
as mbi atë të thatë,
ku ndonjë gaforre
ose midhje langaraqe
mbetën tradhëtuar nga dallgët e detit
të hedhura pa mëshirë në breg
dhe dhanë shpirt
mbetën kufoma varur
sikur te ishin lodra rëre
të ndonjë vogëlushi
harruar në plazh...

Ku je??!!

Të kërkova gjithandej,
edhe mbi re,
në kufirin mes tokës e qiellit;
ku rrezja e diellit puth
horizontin e ftohtë
dhe ngroh ftohtësinë tokësore…
Si përshpërimë e harruar
ndoqa gjurmët e heshtjes
me barrën e të braktisurit
që tërhiqja zvarrë…


24- Më njeh?


Shekujt në zinxhirë vargoi dikur
Një gjerdan të brisht, te trisht thuri me ta
mbi qafën hollacake kish lënë si kujtim
Robinë shekujsh je, dënuar je, - i thanë.

Pas qafës së saj u ngjitën fort gjithë
filluan ta gerryenin, t'i nxirrnin gjak
përskuqur, diellin shihnin me zili
jemi krejt si ti, të kuq, - i thanë.

Por ishte Ilire, vallë e harruan
sepse të përulur donin që ta shihnin
të mbytur, djegur, mbase sakatuar
sepse si ajo, krenare, nuk ishin...

Ajo vajzë Ilire, trimërshë e urtë
Që me shpatë si burrat sulej në beteja
I prente armiqtë, i hidhte mbi turrë
E buzëqeshur si hëna e vrërët si reja.

Sot unë jam buzeqeshja, emocioni i saj
drithërimë e shekujve, në vesh përshpërimë
flas po atë gjuhë, e derdh po atë gjak
jam sikur ajo, vetëm jo robinë!






MALLI I NIMFËS


1-Një ëndërr
( babait tim)

Mesnata
me krahët e saj
më pushtoi...

Në vesh
pëshpërimtas
legjendën e vjetër
nisi të më rrefejë...

-"Pas yjesh,
aty lart në qiell,
shpirtrat sot,
do të festojnë..."

Më tha ngadalë,
Pëshpërimtas,
e frikësuar...

E unë,
pas tyre
fytyrën tënde
kërkoja...

Ti, mbi një yll
veçan të gjithëve
qëndroje.
Heshturazi,
me kokën ulur
me lot të ngrirë
në cepat e syve
që mallin
kristalizonin
nën qerpikë.

2- Nënë

Nëna ime mos rri përlotur,
mos rri e ngrysur në vetmi...
Lotët e tua më lër t'i thaj,
me frymën e shpirtit tim..
Duart e tua, lëkurë rrjepur,
m'i lër t'i puth, t'i ledhatoj..
Kallot e tua në trup e zemër
m'i lër t'i zbut, të t'i mjekoj..
E shtrenjta ime e përmalluar
Që si një llavë mallin shpërthen
Deshirën e zjarrte ma rrëfen
Që gjithnjë pranë të më kish.
Por, largësi tejoqeanesh ne na ndau,
Sa shpejt unë ia, mbete ti,
Në një dhomëz, e lodhur e plakur
Atje po digjesh, si një qiri.

3- Gonxhe o lule
(Nënë Terezës)

Thonë se engjëjt vdesin shpejt,
sepse janë te pafajshëm.
Ata, nuk i tjerrin mëkatet
në furkën e jetës.
As të keqen nuk  e veshin
me vello të bardhë.
I këndojnë një luleje të vyshkur,
që një pranverë të re pret,
dhe ngrohin një endacak,
që shirrat e rrugës mbledh
dhe një plak të braktisur
qe zvarritet tuneleve të jetës,
i harruar nga çdo shpresë.

Por ti, jetove dhe fale.
Dhe ëndrrat
Në çdo zemër të mpakur
Ringjalle.

4-Pika e lotit


I rëndë,
pafajësisht,
në doren time re.
Dhe unë,
peshën tënde s'e durova dot,
dorën drejt tokës lëshova,
ku ti ethshëm pikove aty, pik, pik...

5- Dallgë dhe stuhi


Mbi det një urkë,
nën urkë, ca valë,
përreth disa shkëmbinj
që rrahin valët palë-palë.

Mbi valë shkuma vrapon
si vjellje e oqeanit mbi ujë
shkumë e një goje epileptike
që tmerrin ndez më shumë.

Mbi urkë tmerri zgjërohet
si hije e diellit nga  një eklips
të ngrirë i mban ata njerez
dhe fatin e tyre krejt të mpirë.

Pas thika-shpatesh të mprehta
jeton shpresa për shpëtim
hendek'i natës e burgoste
dhe dallga shtysë në errësirë..

Kështu fati i njeriut,
kur gjendet përmbi ujë
një klithmë në errësirë
që qiellin trazon më shumë..


*Urka është një anije me përmasa midis një varke të madhe dhe një anije të vogël. Një model bask i ndërtimit të anijeve..
6- Dashuri e mjerë

Limfë hyjnore që brenda shpirtit rron
ndjenjat, me lëngun tënd ngjyen,
pastërti njerëzore që nga zemra rrjedh,
gjenetikisht shpërhapesh,
përmes kapilarthëve,
në çdo ind, në çdo nerv.
Limfë hyjnore që brenda zemrës rron,
Trurin me lëngun tënd mbush,
idealin kërkon,
realen shkatërron,
ëndërr - iluzionet plot epsh mbush.
Limfë hyjnore që brenda meje rron
pafajësisht endesh në çdo cep
ëndrrat më ndjell
zemrën më çel
dashurinë njerëzore thellë meje mbjell.


7- Një ditë

 ...në peshoren Anubiane shpirtin do peshosh,
Kohën do të shkrish në ekzistencën e vet,
tëmthi do zhurmojë bluarjen e kujtimeve,
dhe heshtja do mërmërijë vetveten...
Dhe gjaku i freskët dalur nga vetë zemra,
helmin e mendimeve do dojë të pastrojë,
shpresë e pashpresë, vuajtjesh dhe dhimbjesh,
dhimbjesh pa dhëmbë që do thumbojnë.
Dhe jeta pa jetë, dhe kënga pa këngë,
gjuhën e egoizmit do të kafshojnë,
dhe kupa me verë, trishtimin nën këmbë,
s'do mundet dot kurrë ta largoj.
Zemërvetmuar do ndihesh sërisht,
me zhgënjim shpirtin do pushtosh,
duke gëlltitur lotët plot trishtim,
Zotin do ftosh të të dëgjoj.

8-Mjaft Meduza!

Mjaft i zgjate gjarpërinjtë e tu, Meduza!
sorra krakëllitëse mbi pafajësinë mos hidh,
natës i mjafton katrani i mëkatarevë,
helmin vdekjeprurës, mbaje ndër dhëmbë, ti!

Mjaft i ngjyeve qiejtë me katran, Meduza!
Lëre kaltërsinë lirshëm të frymoj,
pranvera ngopet me të vetat lule,
Jetës që shpërthen, fre, ti si vë dot!

Mjaft e derdhe mllefin gjithandej Meduza!
Dhe e bëre botën të zhytet në vrerë
Kudo qe vështrove, shkëmbinj shkrepa mbolle
dhe lulen e njomë shndërrove në ferrë.

Tani, shpëto shpirtin tënd, Meduza!
Se sot a nesër, nje Perze do lindë,
Ti dhe Luciferri ndër flakët e ferrit
Shpirtrash përpëlitur, do jeni, gjithnji.


9- Shpirt femre

Thonë, se femrat,
shtatë shpirtra kanë.

Të vuajtjes,
dhimbjes,
xhelozisë,
tradhëtisë,
jetëdhënies,
dashurisë,
shkeljes,
dhe ringjalljes.

Secili prej tyre
i veçantë,
unik,
i ndryshueshëm,
në secilën prej tyre.

Shpirtra të ngjizur
në të vetmin trup
mes fijesh shpirtërore,
rolin tuaj çdo çast,
përtërini.

Shpirtra të ngjizur
nën bukurinë trupore
që shpirtrat mashkullorë
çdo çast gllabëroni.

10- Eja..

Do të vish përmes ëndrrash, e qerpikun t' ma drithërosh ?
Me fustan të bardhë do vishem dhe flokët do t' bëj kurorë.
Përmbi ballë do rrëzëllijë një i vogël yll qiellor,
Ndërsa shpirti, mirësinë, dritën e zemrës do tejçojë.
Ti veç eja, mos ki frikë, s’do përmend faje, mëkate,
Unë akoma jam një nimfë, do t’ringjall dhe kësaj nate.
Do të ngroh dhe trup, dhe shpirt, sado ftohur ti të jesh,
Një altar për t’u rrëfyer, gjithmonë hapur do ta gjesh.
Bashkë do ecim nëpër natë, ta ndriçojmë muzgun e hirtë
Do fluturojmë pllajave të mallit, derisa nata të jap shpirtë.
Derisa lartë të ndizen yjet, të marrim formë të përjetësisë
Pas disa shekujve le të thonë, ja dy mumje të dashurisë…


11- Lulja e kopshtit tënd 



Gonxhe e vogël, petal vesuar
çdo mëngjes, paqësisht,
kurorën lulore, diellit ia nder..
ëmbëlsisht shpërthen nektarin tënd,
nga e jotja kurorë, lulëzore,
që njomtaz, vesa e mëngjesit e shpëlan
nën ca pika vesë..
dhe bletët fillojnë ta thithin,
e mjaltë e kthejnë nektarin tënd,
dhe dielli më pas, përthan,
ëmbëlsinë tënde ves-nektarizuar,
dhe flen..
paqësisht..
deri në të ardhmen, pranverë..

12- Sonata e mbrëmjes.

Viu, viu, viu.

Zgjohet melodia,
e një pike vere,
teksa gishtërinjtë,
çipave të gotës,
e lëmojnë.

Viu, viu, viu.

Matet pulsi
qe tringëllin lehtë
mbi buzen e tharë.
Sahara braktisur
që pika e verës,
kërkon ta ngjallë.

Viu, viu, viu.

Rrotullohet gishti,
pas të qelqtës gotë,
Ndjenjat bën gërshet,
Në cipat e saj.
Ngadalë.

Viu, viu, viu.

-Oh, ti pikë verë, eja!
Epshin përmbi buzën time,
merrma!
Dehma!
-Eja ti hyjni
e shuarjes së kujtimeve,
përmbi buzët e mia,
recitoi lutjet.
Rrëmbe momentet,
çastet,
gjithçka gjen.
Bashkohu me to.
Tretu!

Ding, dang, dong.

Një këmbanë,
Plot përtesë,
Muzgun lajmëron.

Ding, dang, dong.

Pelerina e diellit,
rrezeve të vakëta,
avullon.

Ding, dang, dong.

Hëna përmbi bërryla,
Fillon që të bierë
Në hipnozë.

Tik-Tak, Tik-Tak.

Koha bashkon ritmin,
me ecjen e gjakut, 
ne damarë.

Tik-Tak Tik-Tak.

Klithmat e natës,
Fillojnë të mbyten,
Pak nga pak.

Tik Tak Tik Tak

Këlthitje shpirtrash
Dëgjohen përqark..

Tik tak, tik tak.

Ora përshpejton,
rrahjen e saj.

Tik-tak, tik-tak.

Filloj t'i bërtas,
Sepse s'mund t'a kap.

Tik-tak, tik-tak.

I kërkoj mes lutjesh,
Që të ndalet pak.

Tik-tak, tik-tak.

Mos vrapo!
– Filloj t'i ulëras.

Tik-tak, tik-tak,
Tik-tak, tik- tak,
Tik...
Ohhhhh!


No comments:

Post a Comment